Sarandë/ Arratisje spektakolare: I dyshuari i shpëton policisë duke u hedhur në det, ndalohet nga skafi kufitar

Një ndjekje dramatike si në filma ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku një i dyshuar përfundoi në ujërat e detit në përpjekje për t’u shpëtuar forcave të rendit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, kur një makinë luksoze me tre persona në bord u ndalua nga forcat “Shqiponja”. Në momentin e ndërhyrjes, njëri nga pasagjerët ka zbritur me vrap dhe është hedhur në det, duke mbajtur një çantë në krah, e cila ka ngritur dyshime se mund të përmbante sende të paligjshme.

Dy personat e tjerë janë ndaluar në vend dhe janë shoqëruar në komisariat për verifikim. Ndërkohë, dhjetëra forca policore u vendosën përgjatë shëtitores duke ndjekur me sy notuesin që përpiqej të largohej në errësirën e natës.

Pak minuta më vonë, skafi i policisë kufitare ndërhyri në det dhe bëri të mundur kapjen e të dyshuarit, i cili më pas u nxor në shëtitore dhe u shoqërua drejt furgonit të policisë.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar për identitetin e personave të ndaluar apo për përmbajtjen e çantës që mendohet se mund të jetë hedhur në ujë. Hetimet janë në vijim.