Parandalohet krim me pasoja për jetën në Vlorë, plagoset një shtetas me thikë, arrestohet autori 64-vjeçar

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë së Vlorës u parandalua një ngjarje me pasoja të rënda për jetën në lagjen “Uji i Ftohtë”.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë reaguan në kohë ndaj një konflikti që ndodhi mbrëmjen e 11 korrikut 2025, rreth orës 23:30, në një lokal pranë vendit të quajtur “Rrapi”.

Gjatë sherrit për motive të dobëta, shtetasi B. Gj., 64 vjeç, goditi me mjet prerës (thikë) në pjesën anësore të kraharorit, shtetasin G. V., 56 vjeç.

I plagosuri u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Autori i dyshuar u arrestua në flagrancë nga forcat e rendit dhe ndaj tij do të ndiqet penalist për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme ligjore