Darëzezë/ Lirohet hapësira publike në plazh, sekuestrohen 90 çadra e shezlongë, pronari procedohet penalisht

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme në vijën bregdetare.

Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Policinë Bashkiake, u krye një kontroll në zonën e plazhit të Darëzezës, ku u konstatua se një subjekt privat kishte zënë pa leje një sipërfaqe publike, duke vendosur rreth 90 komplete me çadra dhe shezlongë.

Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit D. M., 26 vjeç, pronar i subjektit, për veprat penale:

  • “Pushtimi i tokës”,
  • “Fshehja e të ardhurave”,
  • “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale”.

Objektet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Policia e Fierit bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha zonat urbane dhe bregdetare, për të garantuar respektimin e ligjit dhe aksesin e pushuesve në hapësirat publike.