Një incident i pazakontë ka ndodhur të martën në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, ku disa pasagjerë shqiptarë të linjës Beograd–Tiranë janë mbajtur të mbyllur për një kohë të gjatë brenda një autobusi në pistën e aeroportit, në kushte të rënda dhe të papërshtatshme.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerët të shqetësuar, duke bërtitur “Na nxirrni jashtë!”, ndërsa brenda autobusit raportohet se temperaturat ishin shumë të larta dhe mungonte ajrosja apo kondicioneri.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet serbe mbi shkaqet e këtij vonimi dhe trajtimin e pasagjerëve. Gjithashtu, nuk dihet nëse ata kanë marrë ndihmë mjekësore pas ngjarjes.
Ky incident ka ngjallur reagime dhe zemërim në rrjetet sociale, për mënyrën se si u trajtuan pasagjerët shqiptarë në aeroportin serb.