Përplasje me jet ski në Ksamil, lëndohen dy vëllezër francezë – njëri përfundon në spital

Një incident i rrezikshëm është regjistruar këtë pasdite në ujërat e Ksamilit, ku dy turistë francezë janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë lundrimit me jet ski, duke përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, jashtë zonës së sigurisë detare. Dy vëllezër francezë, përkatësisht A. I., 25 vjeç, dhe I. I., 22 vjeç, po lundronin paralelisht me mjete jet ski, kur dyshohet se 25-vjeçari humbi kontrollin dhe u përplas me mjetin e vëllait të tij.

Si pasojë e përplasjes, 22-vjeçari ra në ujë dhe pësoi dëmtime. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje ndërhyri Njësia Policore Detare e Sarandës, e cila i dha ndihmën e parë të dëmtuarit dhe organizoi transportin e tij drejt spitalit rajonal.

Burime zyrtare konfirmojnë se i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në lundrim.

Ky incident vjen në një kohë kur trafiku detar i mjeteve të shpejta në zonat turistike është shtuar ndjeshëm, ndërsa autoritetet kanë apeluar vazhdimisht për kujdes të shtuar dhe respektim të zonave të sigurta të lundrimit.