
Një heshtje e rëndë ka zënë vend në shumë prej fshatrave shqiptare. Aty ku dikur dëgjoheshin zërat e fëmijëve, lojërat në rrugicat me pluhur dhe zhurma e jetës së përditshme, sot dëgjohen vetëm gjëmimet e radios apo ndonjë bisedë e rrallë mes të moshuarve që kanë mbetur.
Në një prej fshatrave të Fierit, një banor i moshuar shprehet me lot në sy:
“Ky është i vetmi fëmijë që ka mbetur në fshat… Kur e shohim, na mallëngjehet shpirti. Nuk ka më kush të luajë, të gumëzhijë, të japë jetë. U larguan të gjithë.”
Rinia ka marrë rrugët drejt qyteteve, emigracionit apo thjesht largësisë nga fshati që nuk ofron më as shkollë, as shëndetësi, as perspektivë.
“Kemi mbetur vetëm pleqtë… Nuk ka më fuqi punëtore, s’ka kush punon tokën, s’ka kush ngre një kazmë. Rinia iku e s’u kthye më.” – thotë një tjetër banor, duke treguar tokat djerrë dhe shtëpitë e mbyllura me dry.
Jetesa në fshat është bërë gjithnjë e më e vështirë. Mungesa e investimeve, izolimi, mungesa e transportit publik dhe shërbimeve bazë ka detyruar banorët të braktisin shtëpitë dhe të kërkojnë një jetë më të mirë gjetkë.
Fshatrat po vdesin ngadalë dhe me to edhe një pjesë e identitetit tonë.
Ndërkohë, institucionet flasin për zhvillim rural, por realiteti në terren është krejt tjetër. Banorët kërkojnë që qeveria të shohë me sy realitetin, të ndihmojë me politika që e mbajnë jetën në fshat dhe jo ta detyrojnë largimin prej tij.