
Theth – Abuzim, korrupsion dhe drejtësi selektive në zemër të një prej zonave më të bukura turistike të vendit. Dosja e ndërtimit të 10 kapanoneve pa leje në Theth hedh dritë mbi një skandal të shumëfishtë, ku përfshihen një i kërkuar i drejtësisë, një e moshuar që përdoret si mburojë, një prokurori që refuzon të hetojë, dhe një sistem i tërë që toleron paligjshmërinë.
Sipas burimeve, shtetasja Lene Prroni, e cila në letra rezulton si pronare e truallit ku janë ngritur kapanonet, është përdorur si mbulesë nga Prek Kodra, një emër i njohur për drejtësinë. Ky i fundit, edhe pse është në kërkim, dyshohet se ka financuar ndërtimin e paligjshëm të objekteve që sot përdoren për turizëm me pagesë, ndërsa në emër të pronës figuron një e moshuar pa asnjë dokument pronësie.
Skandali thellohet edhe më tej: prokuroria e Shkodrës, nën drejtimin e prokurores Elsa Gjeli, ka vendosur të mos nisë hetimet, me një argument absurd – “kapanonet nuk kanë themele”, duke i konsideruar objektet si të përkohshme, edhe pse përdoren çdo ditë për veprimtari ekonomike.
Autoritetet vendore e kanë denoncuar rastin dhe kanë refuzuar të japin leje ndërtimi, pasi vetë e moshuara nuk përmbush kushtet ligjore për përfitim të tokës apo ndërtim mbi të. Por kjo nuk ka ndalur askënd. Biznesi funksionon normalisht, madje menaxhohet nga djali i të moshuarës, ndërsa institucionet mbyllin sytë.
Kush e mbron Prek Kodrën? Kush i jep mbrojtje ligjore një ndërtimi të paligjshëm në një zonë të mbrojtur? Dhe pse drejtësia shqiptare vendos të heshtë kur qytetarët e thjeshtë shembin shtëpitë e tyre për mungesë leje?
Rasti i Thethit është simboli i një sistemi që punon për të fortët dhe fshihet pas justifikimeve qesharake kur paligjshmëria është ulur këmbëkryq në mes të një pasurie kombëtare. Në një vend normal, kjo dosje do të ishte objekt i një hetimi të thellë dhe publik, por në Shqipëri, për sa kohë që “kapanonet nuk kanë themele”, drejtësia as që shqetësohet të lëvizë.