Protestë kundër HEC-it në lumin e Lusës/ Banorët futen me forcë në Bashkinë Klos, Kola: Jemi para një fakti të kryer!

Klos – Tension dhe përplasje me autoritetet lokale pas revoltës së banorëve të njësisë Suç, që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit “Doma” mbi lumin e Lusës, një prej burimeve natyrore të çmuara në zonën e Klosit.

Dhjetëra banorë marshuan drejt Bashkisë së Klosit, ku kërkuan pezullimin e punimeve dhe ndërhyrjen e menjëhershme të pushtetit vendor. Policia Bashkiake bllokoi hyrjen, duke shkaktuar përshkallëzim të situatës, që kulmoi me hyrjen me forcë të banorëve në ambientet e bashkisë dhe më pas me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit.

Pas presionit të protestuesve, kryetarja e bashkisë, Valbona Kola, pranoi të takohej me përfaqësuesit e komunitetit. Por ajo hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke deklaruar se bashkia aktuale është “para një fakti të kryer”, për shkak të një kontrate të firmosur në vitin 2018 nga ish-kryebashkiaku Basir Çupa, i cili kishte dhënë me qira një sipërfaqe pyjore për ndërtimin e HEC-it, për një periudhë 10-vjeçare.

Por banorët nuk e pranojnë justifikimin e “trashëgimisë së vjetër”, pasi impakti i projektit është i tanishëm dhe i drejtpërdrejtë mbi jetën e tyre, natyrën dhe ekonominë rurale të zonës. Ata kërkojnë pezullim të menjëhershëm të punimeve, një rishikim të kontratës, dhe një vlerësim real të dëmit që po i bëhet lumit të Lusës dhe gjithë mjedisit përreth.

Ky është një tjetër rast ku mungesa e transparencës, pazaresh politike dhe koncesionesh të dyshimta po tensionon marrëdhëniet mes pushtetit lokal dhe komuniteteve. Kur vendimmarrja bëhet pa banorët, ata nuk kanë rrugë tjetër veç protestës – edhe me forcë.

Klosi dhe Luma nuk janë tokë pa zot, dhe zëri i banorëve nuk mund të injorohet nën arsyetimin e kontratave që firmosen pa dijeni e pa konsensus. Kjo protestë është një alarm për gjithë Shqipërinë: natyra nuk shitet dhe ujërat e vendit nuk janë thjesht biznes.