
Në shumë qytete, veçanërisht në zona urbane të ngarkuara si Tirana, Durrësi, Vlora apo Fieri, parkimet publike janë kthyer në tregje të vërteta makinash, ku çdo hapësirë – e lejuar apo jo – përdoret për të lënë mjetet me orë të tëra, shpesh në mënyrë kaotike dhe pa asnjë kriter.
Qytetarët ankohen çdo ditë për kaosin që krijohet nga parkimet në dy rreshta, bllokimet e hyrje-daljeve të banesave dhe bizneseve, si dhe automjete që parkohen në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin normal dhe sigurinë.
Situata është aq e përkeqësuar sa në disa rrugë të ngushta, nuk kalon më as ambulanca, zjarrfikësja apo ndonjë rast urgjence, ndërsa rrugët urbane janë kthyer në vend ku mund të parkosh, të bësh pazare me mjetin hapur, apo edhe të zhvillosh biseda të gjata, pa frikë se po pengon qarkullimin.
Ajo që indinjon më shumë qytetarët është mungesa e ndërhyrjes së Policisë Bashkiake dhe Policisë Rrugore, të cilat ose janë të padukshme në terren, ose zgjedhin të mos shohin fare këtë kaos të përditshëm, edhe kur janë në afërsi të bllokimeve.
A ka një plan për sistemimin e kësaj anarkie? Kush kontrollon zbatimin e rregullave të qarkullimit urban? A është hapësira publike pronë private e drejtuesve të makinave të papërgjegjshëm?
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe masa konkrete: vendosje gjobash reale, heqje mjetesh me karrotrec, inspektime të rregullta dhe ndëshkime për shkelësit.
Nëse qyteti nuk kontrollohet nga rregulli, atëherë kontrollohet nga kaosi. Dhe aktualisht, në shumë zona, kaosi është në drejtim të plotë të timonit