
Vlorë – Një skenë e ngarkuar me tension dhe simbolikë u zhvillua sot gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në qytetin bregdetar, ku një qytetare, e dëshpëruar dhe e vendosur, kërkoi me çdo kusht të fliste me kreun e qeverisë.
Gruaja, e cila nuk është identifikuar publikisht, kaloi kordonin e sigurisë dhe përplaset fizikisht me forcat e policisë, ndërsa thërriste me zë të lartë: “Më dëgjo, o Kryeministër!”. Pavarësisht përpjekjeve të efektivëve për ta larguar, ajo refuzoi të tërhiqej, derisa Rama, i vendosur në mes të eskortës, ndaloi dhe iu afrua për të dëgjuar shqetësimin e saj.
Pas një bisede të shkurtër, Kryeministri ia kaloi rastin Kryetarit të Bashkisë, Ermal Dredha, duke premtuar se problemi do të merrej në shqyrtim.
Por kjo ngjarje ngre pyetje të mëdha për mënyrën si funksionon shteti ndaj qytetarëve të vet:
A duhet një qytetar të përballet me polici për t’u dëgjuar nga Kryeministri? A janë institucionet vendore kaq të mbyllura sa vetëm përmes përplasjes fizike arrihet kontakti?
Në vend që të funksionojnë zyrat, dëgjohen hallet vetëm kur përplasen trupat me uniforma. Kjo është panorama reale e shtetit që nuk dëgjon – derisa të bërtasësh, që nuk sheh – derisa të ndërpresësh rrugën, dhe që nuk reagon – derisa të krijosh skenë.
Ky moment në Vlorë nuk është thjesht incident, por pasqyrë e mjerimit institucional ku qytetarët ndihen të pashpresë, të padëgjuar dhe të padukshëm. Dhe nëse për t’u dëgjuar duhet të përplasësh me forcë muret e pushtetit, atëherë problemi nuk është vetëm te hallet e njerëzve, por te shurdhëria e qeverisë.