Ksamil/ Qarkullonte me armë zjarri në “Range Rover”, arrestohet 31-vjeçari nga Kosova

Policia e Sarandës finalizoi operacionin e koduar “Impact”, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik, duke arrestuar në flagrancë një 31-vjeçar nga Kosova për armëmbajtje pa leje.

I ndaluari është shtetasi Sh. M., banues në Gjilan, i cili u kap në Ksamil teksa qarkullonte me një automjet tip “Range Rover”. Gjatë kontrollit, Policia gjeti në çantën e tij një armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, së bashku me një krehër me fishekë luftarakë.

Arma, municioni dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit thekson se do vijojë kontrollet dhe ndërhyrjet për garantimin e rendit dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale gjatë sezonit veror.