Dredha pas kritikave të Ramës: Drejtorët ikën vetë, s’ua kërkoi dorëheqjen kryeministri

Vlorë – Pas kritikave të forta publike të kryeministrit Edi Rama ndaj administratës vendore në Vlorë, ka reaguar për herë të parë kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha.

Në një intervistë, Dredha u shpreh se nuk është ndjerë i fyer nga kritikat e Ramës, përkundrazi i ka konsideruar ato si të dobishme dhe motivuese për përmirësimin e punës. Ai theksoi se qëllimi është t’i ofrohet qytetarëve shërbimi që meritojnë.

Lidhur me dorëheqjet e disa drejtorëve në bashki, Dredha deklaroi qartë se: “Drejtorët ikën vetë. Kryeministri nuk ua kërkoi dorëheqjen.”

Ai nënvizoi se problematikat në Vlorë janë të trashëguara dhe nuk mund të tolerohen më, duke shtuar se të gjithë funksionarët duhet të jenë “sy e vesh” në monitorimin e hapësirave publike, pasi janë konstatuar raste ku detyra nuk është përmbushur siç duhet.

Sipas tij, aksioni i ndërmarrë së fundmi po jep efekt, ndërsa bizneset po tregojnë një sjellje më të përgjegjshme, duke respektuar më shumë ligjin dhe kufijtë e lejeve të dhëna.

Kryebashkiaku i Vlorës përfundoi duke siguruar se do të ketë tolerancë zero për shkelësit, ndërkohë që strukturat bashkiake do të reformohen për të rritur efikasitetin dhe besueshmërinë tek qytetarët.