
Artemis (Armis) Stafa, kushëriri i vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, do të rikthehet në arrest me burg, pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme, i cili pranoi ankimimin e SPAK dhe shfuqizoi masën më të lehtë të arrestit në shtëpi që ishte caktuar më herët nga GJKKO.
Stafa akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të një organizate kriminale, konkretisht grupit të strukturuar Çopja, që operon në Elbasan.
Vendimi i sotëm i Apelit vjen pas seancës së 11 qershorit, kur Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi të zëvendësojë masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për Stafën. SPAK e kundërshtoi këtë vendim, duke argumentuar se ekziston rreziku i shmangies nga drejtësia dhe i ndërhyrjes në prova, çka u pranua sot nga trupa gjykuese e shkallës së dytë.
Artemis Stafa u ekstradua nga Dubai më 11 qershor 2025, me kërkesë të SPAK, për t’u përballur me drejtësinë shqiptare. Ai dyshohet se ka pastruar paratë e përfituara nga krimi, kryesisht nëpërmjet shitblerjes së automjeteve luksoze, duke vepruar si pjesë e strukturës financiare të klanit kriminal Çopja.
Hetimet ndaj këtij grupi kriminal janë pjesë e një dosjeje të gjerë që përfshin veprimtari të paligjshme, si trafik droge, gjobëvënie, pastrim parash dhe tentativa për të infiltruar pasuri të përfituara nga krimi në ekonominë e ligjshme.