
Albpetrol, një nga ndërmarrjet publike më të mëdha dhe me potencial më të madh ekonomik në vend, prej vitesh operon si një institucion i blinduar dhe hermetik, pa asnjë përkushtim ndaj transparencës me publikun dhe median.
Ky ent shtetëror, që duhet të jetë shembull i llogaridhënies për pasurinë publike që menaxhon, është kthyer në një fortesë mbylljeje, mungese informacioni dhe moskomunikimi, ku çdo përpjekje për të marrë përgjigje nga drejtuesit e saj has në dyer të mbyllura dhe heshtje të qëllimshme.
Çfarë po fsheh Albpetrol?
Në një kohë kur qytetarët kërkojnë qartësi për mënyrën si administrohen burimet natyrore dhe për marrëveshjet që lidhen me kompanitë koncesionare, Albpetrol vazhdon të mos japë asnjë informacion për ndarjen e kontratave, shfrytëzimin e puseve, të ardhurat, shpenzimet apo ndikimin mjedisor të aktivitetit të vet. Asnjë deklaratë publike. Asnjë raport të hapur për shoqërinë. Asnjë përgjigje për pyetjet legjitime të gazetarëve apo qytetarëve.
Transparenca nuk është luks, është detyrim ligjor dhe moral, sidomos për një kompani që menaxhon pasuri nën tokë me vlerë miliarda euro, që i përkasin gjithë popullit shqiptar.
Në vend që të japë llogari, Albpetrol zgjedh të fshihet. Kjo sjellje jo vetëm që ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e brendshëm të kompanisë, por lë hapur dyshimet për keqmenaxhim, klientelizëm dhe favorizime të dyshimta në kontratat dhe punësimet që kryhen në fshehtësi të plotë.
Në një shtet normal, institucione të tilla do të kontrolloheshin rregullisht nga organet e auditimit dhe të ishin nën vëzhgim të vazhdueshëm publik. Por në Shqipëri, Albpetrol vepron si një “republikë më vete”, ku ligji nuk hyn dhe llogaridhënia nuk ekziston.
Albpetrol nuk është pronë private, por një aset strategjik i Shqipërisë. Derisa kjo kompani të hapet ndaj publikut dhe të japë llogari për çdo vendim që merr dhe çdo cent që shpenzon, ajo do të mbetet një simbol i errësirës shtetërore në zemër të një ekonomie që ende s’ka mësuar të jetë e ndershme