Bashkia nuk funksionon në Vlorë/ Dredha bën show për t’u mbuluar, ndërsa privati zaptues i bregdetit i bën fresk nga hijet e çadrave

Vlorë – Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, po përpiqet të mbulojë dështimet e qeverisjes së tij lokale pas kritikave të forta publike të kryeministrit Edi Rama, por qytetarët dhe pushuesit e Vlorës po përballen përditë me realitetin e hidhur: nuk ka plazhe të lira!

Pavarësisht se Dredha deklaron se “drejtorët ikën vetë” dhe se ka një “përgjigje pozitive nga bizneset”, mjafton të kalosh nga zona e Skelës deri në “Ujin e Ftohtë”, për të parë të vërtetën e trishtë: çdo centimetër i bregdetit është i zënë, me çadra, shezlongë dhe tavolina të vendosura mbi hapësira publike, që duhet të ishin në shërbim të qytetarëve.

Rama bërtiti – por nuk hoqi askënd. Madje zaptuesit vazhdojnë të operojnë të qetë, ndërsa qytetarët duhet të kalojnë mes rreshtave të shezlongëve privatë për të parë detin, e jo më ta prekin atë.

Vlora sot është simboli i zaptimit sistematik dhe të pandëshkuar të bregdetit shqiptar, ku institucionet lokale nuk bëjnë asgjë, përveçse simulojnë kontrolle të vonuara. Situata nuk është më thjesht neglizhencë, por masakër urbane dhe turistike, që po largon pushuesit vendas dhe të huaj, të cilët përballen me çmime abuzive dhe privatizim të paligjshëm të plazheve publike.

A mjafton një “ulërimë” e Ramës për të bërë punë reale? Jo, nëse pas fjalëve nuk vijnë dorëheqje, ndëshkime dhe një pastrim i thellë i administratës vendore. Sepse Vlora nuk ka nevojë për show politik, por për veprim të drejtë dhe të ndershëm në mbrojtje të interesit publik. Turizmi nuk mund të rilindë mbi tokë të zënë.