
Pavarësisht premtimeve të forta të Kryeministrit Edi Rama se nuk do të ketë më “tokë të zaptuar” në Vlorë apo në plazhet e tjera të vendit, realiteti në terren është krejt tjetër: bregdeti është i ndarë mes “pronarëve të babës e të nënës”, siç ironizojnë qytetarët, ndërsa pushuesit e zakonshëm përzihen nga rëra dhe deti, që tanimë trajtohen si prona private.
Në Vlorë, çdo centimetër i plazhit është i zënë nga çadra, shezlongë, kabina dhe struktura të vendosura pa kriter, që i përkasin subjekteve private që veprojnë me leje apo pa leje, por gjithsesi me bekimin e heshtur të pushtetit vendor. Hapësirat publike janë zhbërë, ndërsa qytetarëve u mbetet si “alternativë” ndonjë cep me gurë, shkëmbinj, ose ndonjë vend i mbuluar me mbeturina, ku askujt nuk i intereson të shkojë.
“Rama tha nuk do ketë më zaptim, por gjithçka është e zënë. Shteti ka mbaruar! Tani detin duhet ta prenotosh, si hotel”, shprehet një qytetar vlonjat, teksa shikon rreshtat e pafund të çadrave që fillojnë nga rëra dhe përfundojnë në ujë. Askush nuk pyet për ligj, për akses të lirë apo për të drejtën e pushuesve të zakonshëm.
Ironia është se shteti, në vend që të ndalë zaptimin, ka kthyer sytë nga ana tjetër. Aty ku duhej të kishte aksione për lirimin e bregdetit, ka heshtje totale. Aty ku duhej të vendosej rend dhe kontroll, sundon anarkia e bizneseve. Dhe aty ku qytetarët duhej të pushonin falas, tani duhet të paguajnë çdo metër katror.
Vlorë, Sarandë, Durrës apo Shëngjin – panorama është e njëjtë: plazhe që dikur ishin të popullit, tani janë kthyer në pasuri të privatëve. Shteti që premtoi çlirimin e detit, ka dorëzuar flamurin. Dhe qytetarët e ndjejnë këtë çdo ditë, kur detyrohen të kërkojnë një vend të lirë mes mbeturinave apo gurëve, sepse rëra e pastër është bërë “mall me pagesë”.
Ky nuk është turizëm. Është përvetësim. Dhe kur përvetësohet deti, nuk ka më as shtet, as drejtësi, as të drejtë për qytetarin e zakonshëm.