Vlorë, policia pengon trafikun në vend që ta rregullojë! Qytetarët të revoltuar në kulmin e sezonit turistik

Në vend që të lehtësojnë lëvizjen dhe të menaxhojnë trafikun në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit, punonjësit e policisë në Vlorë po akuzohen se po e përkeqësojnë situatën në qytet, duke u kthyer në një pengesë për qarkullimin dhe jo një ndihmë për të.

Qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen të indinjuar për mënyrën se si veprojnë efektivët e policisë, veçanërisht në kryqëzime të rëndësishme dhe në hyrje-daljet e qytetit, ku në vend që të organizojnë qarkullimin, ata ndërhyjnë me masa ndaluese dhe e bllokojnë trafikun për minuta të tëra, pa asnjë arsye të qartë.

“Policia nuk është në funksion të komunitetit, por duket sikur është aty vetëm për të krijuar kaos. Kryqëzimet në vend që të jenë të kontrolluara, kthehen në ngërç të vërtetë për shkak të ndërhyrjeve të tyre të paqarta”, thotë një qytetar nga zona e Skelës.

Vlonjatët shprehen të shqetësuar se në kulmin e sezonit turistik, kur qyteti pret mijëra vizitorë dhe fluksi i automjeteve shumëfishohet, nuk ka as plan menaxhimi trafiku, as bashkëpunim mes strukturave dhe as vizion për lehtësimin e lëvizjes. Përkundrazi, shumë punonjës policie qëndrojnë pasivë ose ndërhyjnë në mënyrë të gabuar, duke e ngarkuar edhe më tepër situatën.

Kritikat ndaj policisë rrugore në Vlorë nuk janë të reja, por në këtë periudhë, kur pritshmëritë janë për një shërbim shembullor ndaj turistëve dhe qytetarëve, mungesa e profesionalizmit dhe organizimit bie akoma më shumë në sy. Qyteti i Vlorës ka nevojë urgjente për një menaxhim të mirëfilltë të trafikut urban, ku policia të jetë në funksion të zgjidhjes, jo të problemit.