
Në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, një nga institucionet që u promovua si “model europian i shëndetësisë”, sot ndodhin skena të turpshme dhe çnjerëzore ndaj qytetarëve më të pambrojtur: invalidëve dhe pacientëve me aftësi të kufizuara.
Në këtë spital, nëse kërkon një karrocë për të lëvizur një të sëmurë, duhet të presësh – jo pak minuta, por edhe deri në një orë apo më shumë. Në shumë raste, karrocat nuk gjenden fare ose janë “nën administrim” të një stafi që lë pa ndihmë pacientët dhe familjarët e tyre në momentet më të vështira.
Edhe më keq, qytetarët denoncojnë se personat me aftësi të kufizuara shihen me përbuzje, trajtohen si pengesë, e jo si njerëz që kanë nevojë për mbështetje dhe dinjitet. Një sjellje që vjen jo nga mungesa e mjeteve, por nga mungesa e shpirtit human në një pjesë të stafit mjekësor.
Ku është humanizmi?
Të thuash se kemi “mjekë humanë” në këto kushte është fyerje për vetë fjalën “human”. Në vend që t’u shërbehet me përkujdesje, siç ndodh në çdo shtet të civilizuar europian, këta qytetarë të pambrojtur shpeshherë neglizhohen, injorohen apo edhe ftohen të mos kthehen më, sepse “i bezdisin”.
Në vende të tjera, të zhvilluara apo edhe ballkanike, invalidët trajtohen me dinjitet maksimal, me asistencë të menjëhershme dhe mjete të garantuara – nga hyrja në spital, deri te dalja.
Në Shqipëri? Duhet të lutësh, presësh, apo të turpërohesh që ke nevojë për një karrocë, si të ishte favor, jo e drejtë.
Për kujt janë këto spitale, në fund të fundit?
Për politikanët që s’kalojnë asnjëherë nga dera e tyre? Për show-t me shiritat prerë? Për propagandën në TV?
Jo! Këto spitale janë në shërbim të popullit, dhe çdo qytetar – i shëndetshëm apo invalid – ka të drejtën e dinjitetit, kujdesit dhe ndihmës.
Aq më tepër kur bëhet fjalë për një shtresë që e ka të pamundur të lëvizë, të veprojë apo të reagojë si të tjerët.
🛑 Nevojitet urgjentisht vëmendje e institucioneve dhe e Ministrisë së Shëndetësisë.
Spitali nuk është pronë private, dhe invalidët nuk janë ngarkesë.
Janë qytetarë me të njëjtat të drejta, të lënë në mëshirë të hallit dhe shpërfilljes institucionale