
Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar sot një aksion masiv për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet, ku inspektorët e IMT-së (Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit) kanë nisur heqjen e tendave, kioskave dhe strukturave të biznesit të vogël, me paralajmërimin e prerë: “O e hiqni vetë, o do t’jua prishim!”
Por ndërkohë që veprimi paraqitet si një akt i vendosur i shtetit, ngrihet një pikëpyetje themelore: ku ka qenë shteti për 12 vite me radhë?
Bizneset që sot quhen “të paligjshme” janë të njëjtat që kanë operuar për vite me radhë nën sytë dhe me dijeninë e plotë të institucioneve përgjegjëse. Ato kanë paguar taksa, qira nën dorë, ryshfete dhe tarifa “gojore” për të qëndruar aty ku janë sot. Çdo tendë, çdo kënd tregtar, ka kaluar më parë nga filtrat e sekserëve, militantëve apo zyrtarëve vendorë që përfitonin përmes rrugëve informale.
Sot, me kamerat e ndezura dhe propagandën e gatshme, Kryeministri Rama kërkon të shfaqet si goditësi i abuzimit – por në fakt, goditja po u bëhet pikërisht atyre që kanë paguar më shumë dhe që nuk kanë pasur mbrojtje politike.
Kush janë fajtorët e vërtetë për këtë kaos?
Lista është e gjatë:
- Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT)
- Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore
- Policia Bashkiake
- Bashkia e Tiranës
Të gjitha këto struktura kanë mbyllur sytë ndër vite, madje në shumë raste kanë inkurajuar informalitetin në këmbim të përfitimeve personale.
Sot, kur “shfaqja politike” është në kulm, askush nuk pyet: kush i dha lejet? Kush mori paratë? Kush i tha “vazhdo” biznesit të vogël? Dhe mbi të gjitha – pse nuk po hetohet askush nga ata që për vite me radhë kanë ushtruar presion dhe kanë pasuruar veten me zarfat e çdo muaji?
Aksioni i sotëm ka pasoja të rënda sociale. Qindra biznese rrezikojnë mbylljen, investimet e tyre shkatërrohen pa dëmshpërblim dhe dhjetëra familje mbeten pa të ardhura. Janë punonjës, gra, burra e të rinj që sot nuk po ndëshkohen për ndonjë faj – por po paguajnë faturën e një shteti që nuk ndaloi shkeljen, por e shiti. Dhe tani, pasi ka përfituar gjithçka, po i fshin me një të rënë lapsi.
Nëse vërtet synohet një pastrim i hapësirave publike me drejtësi dhe barazi, pse nuk nis nga ndërtimet pa leje të “investitorëve strategjikë” me kulla 50-katëshe?
Pse nuk kontrollohen vilat e paligjshme në rezidencat e luksit?
Apo atje jetojnë drejtorët, ministrat dhe zyrtarët që dikur morën lekët për çdo metër hapësirë të zënë nga një kioskë?
Biznesi i vogël, si gjithmonë, është hallka më e dobët. E goditur kur nuk i duhet më sistemit. E përdorur dhe më pas e flakur. Dhe mbi të gjitha – e braktisur nga një shtet që nuk ndëshkon korrupsionin nga lart, por vetëm mbijetesën nga poshtë.