Drejtoria e Rrugëve në Fier, në gjumë! Mungon sinjalistika, shkollat pranë rrugëve pa mbrojtje.

Në një kohë kur siguria rrugore është një nga sfidat kryesore për qytetarët, Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Fier duket se është zhdukur nga funksioni i saj kryesor: garantimi i standardeve të qarkullimit dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve.

Sinjalistika rrugore në shumë akse të qarkut pothuajse mungon, tabela të dëmtuara ose të zhdukura fare, barriera mbrojtëse inekzistente, rrugë pa ndriçim, pa vijëzime, dhe me shenja të amortizuara prej vitesh. Rrugët janë kthyer në rrugë arash, ku askush nuk e kupton nëse po lëviz në një aks nacional, rrugë fshati apo pistë e braktisur.

Më shqetësuese është gjendja pranë shkollave, ku mungesa e vijave të bardha, sinjaleve paralajmëruese dhe pengesave mbrojtëse për nxënësit është një rrezik i përditshëm. Dhjetëra shkolla të vendosura buzë rrugëve të qarkullimit të lartë nuk kanë asnjë element sigurie për fëmijët. A nuk i shohin këto drejtuesit e institucioneve?

Ku janë tenderat për mirëmbajtje?

Çdo vit shpallen tendera për mirëmbajtjen e rrugëve, për sinjalistikë, për tabela, për barriera, për investime të vogla infrastrukturore. Por në terren, rezultati është zero.

Kush kontrollon si dhe ku shkojnë këto fonde? Kush mban përgjegjësi kur tabela mungon, kur rruga nuk ka asnjë pengesë, kur fëmijët ecin në rrugë bashkë me makinat, sepse s’ka as trotuar, as mbrojtje?

Shtyllat e tensionit, një tjetër rrezik

Për më tepër, në disa segmente, shtyllat e tensionit të mesëm janë vendosur pa asnjë kriter, shumë pranë rrugës, duke shtuar edhe më shumë rrezikun e aksidenteve. Asnjë sinjal paralajmërues, asnjë mbrojtje, asnjë reflektues për natën.

Ku është shteti?

Qytetarët e Fierit janë të lodhur nga premtimet, nga propagandat dhe nga zyrat që mbyllen pas orës 16:00. Drejtori i rrugëve nuk dëgjohet, nuk shihet, nuk reagon. Këto nuk janë probleme të vogla – janë çështje që lidhen me jetën dhe sigurinë publike.

A ka ndonjë institucion që duhet të kontrollojë këtë situatë? Apo të gjithë janë bërë “të verbër” përballë mungesës së përgjegjësisë?

🛑 Drejtoria e Rrugëve në Fier i ka kthyer rrugët në rrezik të hapur për qytetarët. Fëmijët shkojnë në shkollë pa sinjalistikë, drejtuesit e mjeteve lëvizin pa orientim, dhe askush nuk përgjigjet. Kjo nuk është neglizhencë – kjo është braktisje