
Një incident i rëndë është regjistruar mëngjesin e 4 korrikut në jug të qytetit Boulogne, në bregdetin verior të Francës, ku dhjetëra emigrantë që përpiqeshin të kalonin Kanalin e La Manshit drejt Mbretërisë së Bashkuar, u përballën me ndërhyrjen e dhunshme të policisë franceze.
Sipas raportimeve të BBC-së, emigrantët, të ndihmuar nga trafikantë, ishin ndarë në dy grupe të mëdha dhe u përpoqën të hipnin në gomone për të nisur udhëtimin e rrezikshëm drejt Britanisë. Rreth 80 deri në 100 persona ishin në plazh në momentin e përplasjes.
Një nga gomonet ishte mbushur dhe ndodhej rreth 100 metra larg bregut, ndërsa një tjetër, thuajse bosh, po afrohej për të marrë pjesën tjetër të grupit. Emigrantët, shumica me jelekë shpëtimi, u futën në ujë për të arritur mjetin lundrues, ndërsa një anije e rojes bregdetare franceze mbante distancë nga bregu.
Në këtë moment, sipas dëshmitarëve, policia franceze ndërhyri me forcë dhe çau gomonen me thikë, duke rrezikuar jetën e dhjetëra personave që ndodheshin pranë mjetit dhe tashmë ishin në ujë. Paniku dhe kaosi pushtuan zonën, ndërsa shumë emigrantë mbetën në ujë deri në bel, duke u përpjekur të shpëtonin dhe të mbijetonin.
Incidenti ka shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e cilësojnë veprimin e policisë si një akt të papranueshëm dhe të rrezikshëm për jetën njerëzore. Autoritetet franceze nuk kanë komentuar ende për ngjarjen