
Një situatë e rrezikshme u regjistrua mbrëmjen e 4 korrikut në shëtitoren e qytetit të Sarandës, ku një turist italian u vu re duke lëvizur mes kalimtarëve me një thikë në dorë, duke shkaktuar panik dhe frikë tek pushuesit e shumtë.
Sipas informacioneve zyrtare, i dyshuari është identifikuar si Th. M., 32 vjeç, nga Perugia e Italisë, i cili ndodhej për pushime në qytetin bregdetar. Prania e tij me një armë të ftohtë në një zonë të mbipopulluar ngjalli alarm të menjëhershëm.
Forcat e policisë ndërhynë me shpejtësi dhe arritën ta neutralizojnë turistin pa shkaktuar lëndime apo incidente të tjera. Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, ku po merret në pyetje.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se shtetasi italian ishte në gjendje të dehur dhe dyshohet se mund të vuajë edhe nga probleme të shëndetit mendor. Deri më tani, nuk raportohen persona të lënduar nga ngjarja.
Policia po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij veprimi të papërgjegjshëm, që për pak mund të kishte përfunduar në një tragjedi