
Rrugët e qyteteve shqiptare po shndërrohen gjithnjë e më shumë në zona të rrezikshme për këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve, me Fierin si një nga shembujt më shqetësues të kësaj situate. Aksidentet rrugore në qytet janë në rritje të ndjeshme, dhe një nga arsyet kryesore është mungesa ose vendosja pa kriter e vijëzimeve të bardha.
Në Fier, shumica e kryqëzimeve, kalimeve të këmbësorëve apo segmenteve me qarkullim të dendur janë pa sinjalistikën minimale të nevojshme. Aty ku duhej të kishte vijëzime të dukshme, ndodhen vetëm asfalte të lëmuara e pa ndarje, ndërsa në disa raste të tjera, vijat e bardha janë vendosur në vende të gabuara, pa asnjë logjikë urbanistike dhe larg pikave ku qytetarët realisht kalojnë.
Bashkia Fier, ndonëse është në dijeni të problematikës prej vitesh, nuk ka marrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e sinjalistikës rrugore. Mungesa e investimeve për dukshmërinë e vijëzimeve është kthyer në një kërcënim të përditshëm për jetën, veçanërisht për këmbësorët, fëmijët dhe të moshuarit.
Ekspertët e transportit paralajmërojnë se mosrespektimi i standardeve të sinjalistikës rrugore është një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve urbane. Në vend që të ndërhyhet me një plan të qartë dhe profesional për riorganizimin e sinjalistikës, institucionet vendore në Fier preferojnë të mbyllin sytë, duke vënë në rrezik sigurinë publike.
Qytetarët e Fierit apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme, jo vetëm për të vendosur vijëzime të reja dhe të dukshme, por edhe për të analizuar vendosjen e tyre në përputhje me fluksin real të trafikut. Rrugët nuk janë thjesht asfaltet për makina, por hapësira ku bashkëjetojnë njerëz dhe mjete – dhe pa sinjalistikë të qartë, ajo bashkëjetesë kthehet në luftë për mbijetesë.