
Qyteti i Fierit po përballet çdo ditë me një kaos të heshtur, ku hapësirat publike janë kthyer në prona të privatëve, ndërsa qytetarët ndihen gjithnjë e më të përjashtuar nga trotuaret dhe rrugët që u takojnë me të drejtë. Nga parkimet e zgjatura që zgjasin me ditë të tëra, te tregtarët ambulantë që shesin pa kontroll në çdo cep të qytetit, rruga për qytetarin e thjeshtë është kthyer në një sprovë të përditshme.
Trotuaret janë të pushtuara nga tavolina kafenesh, reklama biznesesh, stenda agjencish apo karroca tregtarësh që shesin fruta, rroba dhe gjithçka tjetër. Kalimi i lirë dhe i sigurt i qytetarëve është penguar në shumë zona të qytetit, duke krijuar jo vetëm vështirësi, por edhe rrezik real për këmbësorët, veçanërisht për nënat me karroca dhe të moshuarit.
Ironikisht, policët bashkiakë janë të organizuar në çdo 100 metra, por më shumë si figurë dekorative sesa si trupë funksionale për zbatimin e rregullit. Ndërsa qytetarët ndeshen me pengesa të përditshme dhe shkelje të hapura të ligjit, bashkia Fier jo vetëm që nuk merr masa, por duket e painteresuar për të rikthyer rendin urban.
Në vend që të garantohen hapësira të qarta për qytetarët dhe të ndëshkohen abuzuesit që pushtojnë rrugët dhe trotuaret, institucionet lokale po lejojnë me heshtjen e tyre që qyteti të kthehet në një terren të privatizuar pa asnjë kriter. Një qytet i mbipopulluar nga reklama, pengesa dhe kaos, nuk mund të quhet qytet i jetueshëm.
Fieri ka nevojë për një strategji serioze urbane, për rivendosjen e hapësirave publike në funksion të komunitetit dhe për zbatimin me rigorozitet të ligjit nga strukturat e vetë bashkisë. Deri atëherë, qytetarët do të vazhdojnë të ecin me pengesa – jo vetëm në rrugë, por edhe përballë një administrate që ka zgjedhur të mos shohë.