
Vatra e zjarrit në landfillin e Elbasanit vazhdon të jetë aktive prej katër ditësh, duke shkaktuar situatë alarmante në qytet. Flakët kanë përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve pranë Inceneratorit të Elbasanit, ndërsa tymi i dendur dhe toksik bashkë me erën e rëndë kanë pushtuar zonën përreth.
Kjo situatë ka sjellë shqetësim të madh tek qytetarët, të cilët raportojnë për vështirësi në frymëmarrje dhe shqetësime shëndetësore. Ekspertët paralajmërojnë për një katastrofë të mundshme mjedisore nëse zjarri nuk shuhet sa më parë.
Ditën e djeshme nisi ndërhyrja ajrore me helikopterë zjarrfikës, që synon përshpejtimin e fikjes së flakëve dhe minimizimin e përhapjes së zjarrit në thellësi të mbetjeve. Megjithatë, depërtimi i zjarrit në shtresat e brendshme të mbetjeve, temperaturat e larta dhe era e fortë kanë bërë që ndërhyrja të jetë shumë e vështirë.
Autoritetet dhe ekipet e emergjencës vijojnë punën intensive për të vënë nën kontroll situatën, ndërsa qytetarët apelojnë për masa më efektive dhe informim të plotë lidhur me rreziqet për shëndetin dhe mjedisin.