Trump bisedon një orë me Putinin, flasin për luftën në Ukrainë dhe krizën iraniane

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një telefonatë mbi një orë me Presidentin rus Vladimir Putin, ku diskutuan për konfliktin në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme, me fokus të veçantë tek çështja iraniane.

Biseda mes dy liderëve vjen në një moment kritik për përpjekjet e Trump për të ndërmjetësuar një zgjidhje mes Moskës dhe Kievit, ndërsa SHBA ka pezulluar së fundmi dërgesat e armëve për ushtrinë ukrainase – një zhvillim që ka ngritur shqetësime ndërkombëtare.

Sipas këshilltarit të politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, tema e dërgesave të armëve nuk u diskutua gjatë telefonatës. Megjithatë, ai konfirmoi se Trump dhe Putin patën një “diskutim të detajuar” për Iranin dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Detaje të tjera mbi përmbajtjen dhe rezultatet konkrete të bisedës nuk janë bërë publike deri më tani.