
Jonaid Myzyri, ish-shefi i Prokurimeve Publike, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku është njohur me masën e sigurisë të caktuar ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Sipas burimeve, Myzyri akuzohet për përfshirje në shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, vepër penale e kryer në bashkëpunim, në një procedurë prokurimi me vlerë mbi 2 miliardë lekë.
SPAK ka kërkuar dhe zbatuar ndaj tij masën e sigurimit “detyrim paraqitje” si dhe “pezullim nga detyra”, sipas neneve 234 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale. Hetimet ndaj tij lidhen me abuzime të dyshuara në proceset e prokurimit gjatë kohës kur mbante postin e shefit të Prokurimeve Publike, funksion që e ushtronte që prej vitit 2020.
SPAK vijon verifikimet për tenderin në fjalë, ndërsa pritet të hetohen edhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në procedurën e dyshimtë. Kjo është një tjetër goditje e radhës ndaj abuzimeve me fondet publike dhe proceset e prokurimit shtetëror.