Rama mbledh deputetët e PS: Brenda 2 javësh, zbrisni në terren, evidentoni hallet e qytetarëve dhe raportojini në bashki

Pas zhvillimeve të fundit në Vlorë, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në selinë e Partisë Socialiste të gjithë deputetët dhe kandidatët që garuan nën siglën e PS në zgjedhjet e 11 majit. Qëllimi i mbledhjes ka qenë mobilizimi i strukturave për evidentimin e problematikave me të cilat përballen qytetarët, veçanërisht në qarkun e Tiranës.

Rama ka dhënë porosi të qarta: brenda dy javësh, deputetët dhe kandidatët duhet të zbresin në terren, të takojnë banorët, të dëgjojnë shqetësimet dhe të hartojnë një raport për çdo zonë, i cili më pas do t’i depozitohet bashkisë për veprime konkrete.

Janë ngritur edhe grupe pune sipas fushave të ndjeshme: hapësirat publike, shërbimet, lejet e ndërtimit dhe parkimi. Çdo grup do të mbledhë të dhëna dhe do të bëjë propozime për përmirësimin e situatës në këto sektorë.

Sipas Kryesocialistit, ministrat janë të gatshëm të japin mbështetje dhe zgjidhje të menjëhershme, aty ku problematikat kërkojnë ndërhyrje të nivelit qendror.

Ky aksion politik, që vjen në kulmin e sezonit turistik dhe përballë një sërë kritikash për funksionimin e pushtetit vendor, shihet si një tentativë për të forcuar lidhjen direkte me qytetarët dhe për të rritur eficiencën e qeverisjes në nivel lokal.