Protesta masive në Serbi, qytetarët paralizojnë rrugët në Beograd, Novi Sad e Nishi, si reagim ndaj dhunës së autoriteteve

Disa prej qyteteve kryesore të Serbisë janë paralizuar këtë të premte, si pasojë e protestave masive dhe bllokadave të rrugëve, organizuar nga qytetarët dhe studentët, në shenjë reagimi kundër dhunës së autoriteteve dhe pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Bllokada trafiku u zhvilluan në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevac dhe qytete të tjera, ku mijëra qytetarë ndaluan makinat e tyre në rrugë, duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve, pavarësisht ndërhyrjes së policisë dhe zhbllokimeve të përkohshme.

Sipas mediave serbe, protesta e kësaj të premteje është përgjigje ndaj dhunës së forcave të sigurisë gjatë protestave të mëparshme dhe një thirrje për drejtësi, liri dhe respektim të të drejtave qytetare.

Në disa segmente rrugore, Xhandarmëria Serbe ndërhyri dhe largoi me forcë protestues, por shoferët solidarë refuzuan të lëviznin, duke bllokuar plotësisht rrugët si shenjë mbështetjeje.

Organizatorët kanë bërë thirrje për vazhdimin e protestave në ditët në vijim, derisa sipas tyre, pushteti të japë llogari për përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve dhe mungesën e dialogut me opozitën dhe shoqërinë civile. Protestat pritet të përshkallëzohen në fundjavë