
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Çikago, ku katër persona u vranë dhe 14 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri jashtë një lokali në lagjen River North, në bllokun 300 të West Chicago Avenue.
Sipas policisë, sulmi ndodhi në fund të një eventi muzikor për promovimin e albumit të një repereje të njohur, kur një automjet iu afrua turmës së njerëzve dhe një person i armatosur hapi zjarr ndaj tyre.
Pas të shtënave, automjeti u largua me shpejtësi dhe deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Mes viktimave janë dy burra, të moshës 24 dhe 25 vjeç, dhe dy gra, 26 dhe 27 vjeç. Të paktën katër nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike. Viktimat u transportuan menjëherë drejt spitaleve të zonës, ndërsa autoritetet janë në kërkim të autorëve dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar sulmuesin.
Policia e Çikagos e ka cilësuar ngjarjen si një nga masakrat më të rënda të muajve të fundit. Hetimet janë në vijim.