Drejtori i Arsimit Parauniversitar Durrës pezullohet nga gjykata, nën hetim për shpërdorim detyre

Drejtori i Arsimit Parauniversitar Durrës pezullohet nga gjykata, nën hetim për shpërdorim detyre

Gjykata e Durrësit ka vendosur të pezullojë nga detyra drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) Durrës, Hazbi Lika, i cili është nën hetim për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Vendimi u mor më 28 qershor 2025 nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, i cili ka vlerësuar se ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore për zbatimin e masës së sigurimit personal “pezullim nga detyra”, në përputhje me nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas vendimit të gjykatës, pezullimi është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e hetimeve, me qëllim shmangien e çdo ndikimi të mundshëm nga ana e të pandehurit mbi procesin hetimor apo mbi vartësit e tij në institucion.

Drejtoria Rajonale e Arsimit Durrës mbulon jo vetëm qarkun e Durrësit, por edhe bashkitë Bulqizë, Dibër, Mat dhe Klos, duke e bërë pozicionin e Likës të një rëndësie të veçantë administrative.

Hetimet ndaj tij janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të plota mbi veprimet konkrete që përbëjnë, sipas Prokurorisë, shpërdorim të detyrës.