
Kalimi i automjeteve në Pikën Kufitare të Qafë-Botës është pezulluar përkohësisht që në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, pas arrestimit të një doganieri grek në anën greke të kufirit, në Mavromat.
Ende nuk janë bërë publike arsyet e arrestimit, ndërsa pala greke ka vendosur shirit sigurie në pikën e kontrollit, duke bllokuar hyrje-daljet për automjetet. Situata ka shkaktuar radhë të gjata dhe shqetësim te udhëtarët që kishin planifikuar të kalonin kufirin me automjete.
Qarkullimi i këmbësorëve vijon, por vetëm pa bagazhe, ndërsa autoritetet shqiptare dhe greke nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi kohën kur pritet të rikthehet normaliteti.
Ngjarja po monitorohet nga afër nga autoritetet kufitare shqiptare, ndërsa hetimet për doganierin grek janë në vijim nga pala greke. Udhëtarëve u bëhet thirrje të përdorin pika të tjera kufitare deri në një njoftim të dytë.