Aku Fier, pronë private e drejtorit? Mungon transparenca, qytetarët pa informacion për cilësinë e ushqimeve dhe kontrollet

Fier/ AKU, institucion publik i kthyer në pronë private? Mungon transparenca, heshtje totale ndaj qytetarëve dhe mediave

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Fier po përballet me kritika të forta për mungesë të theksuar transparence dhe refuzim sistematik për të bashkëpunuar me mediat dhe për të informuar qytetarët mbi cilësinë e ushqimeve dhe kontrollet që kryen.

Burime të brendshme dhe aktorë lokalë të shoqërisë civile e cilësojnë këtë sjellje si një tentativë për të mbajtur në heshtje problematika serioze në zinxhirin ushqimor, duke e kthyer këtë institucion publik në një “pronë private” të drejtorit të AKU Fier.

Prej muajsh, çdo kërkesë për informacion apo për të komunikuar kontrollet zyrtare, masat ndaj subjekteve që shkelin ligjin apo sigurinë ushqimore, është injoruar ose refuzuar. Drejtoria e AKU Fier, në vend që të jetë një urë komunikimi me publikun dhe garant i sigurisë ushqimore, ka vendosur një “mur heshtjeje”, duke mos ofruar asnjë të dhënë as për mediat lokale, as për qytetarët.

Kjo sjellje bie ndesh me detyrimet ligjore të një institucioni publik, i cili paguhet nga taksat e qytetarëve dhe ka për mision mbrojtjen e tyre nga abuzimet në tregun ushqimor.

Në kushtet kur rastet e helmimeve, ushqimeve të skaduara apo prodhimeve të pasigurta janë në rritje, mungesa e informacionit dhe transparencës nga AKU Fier është alarmante dhe mund të interpretohet si bashkëpunim i heshtur me shkelësit.

Qytetarët e Fierit kanë të drejtë të dinë:

  • Kush kontrollohet dhe kush jo?
  • Sa masa janë marrë?
  • A është i sigurt produkti që blejnë?

Mungesa e këtyre përgjigjeve rrit pasigurinë dhe minon besimin tek institucionet.

Nëse AKU do të funksionojë si një zyrë private dhe jo si një institucion në shërbim të shëndetit publik, atëherë reforma dhe ndërhyrja urgjente nga qendra është e pashmangshme. Heshtja nuk mbron qytetarët – përkundrazi, i rrezikon ata çdo ditë.