Putin dhe Macron flasin për herë të parë pas pushtimit të Ukrainës, Kremlini fajëson Perëndimin për luftën

Putin dhe Macron zhvillojnë telefonatën e parë që nga pushtimi i Ukrainës – Kremlini: Perëndimi fajtor për luftën

Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një telefonatë me homologun francez Emmanuel Macron këtë të martë, më 1 korrik 2025, në një kontakt të parë zyrtar mes tyre që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Para nisjes së konfliktit, Macron ishte një nga ndërmjetësuesit kryesorë perëndimorë dhe një bashkëbisedues i rregullt i Putinit. Biseda e fundit shënon një moment të rëndësishëm diplomatik në një kontekst tensioni të lartë ndërkombëtar.

Sipas burimeve nga Kremlini, temë diskutimi ishin situata në Ukrainë, konflikti Izrael-Iran, si dhe sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Në lidhje me luftën në Ukrainë, Putin ka përsëritur narrativën zyrtare të Kremlinit, duke deklaruar se:

“Konflikti ukrainas është një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të shteteve perëndimore, të cilat për shumë vite injoruan interesat e sigurisë së Rusisë, krijuan një bazë anti-ruse në Ukrainë dhe toleruan shkeljet e të drejtave të banorëve rusishtfolës.”

Putin theksoi se vendet perëndimore po e zgjasin luftën përmes furnizimit të Ukrainës me armë moderne, dhe shtoi se një zgjidhje për krizën duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke adresuar “shkaqet rrënjësore” dhe duke u bazuar në realitetin në terren.

Pala franceze ende nuk ka dhënë një deklaratë të detajuar mbi përmbajtjen e bisedës. Megjithatë, fakti që dy liderët kanë rifilluar komunikimin pas një ndërprerjeje gati 3-vjeçare, shihet si një sinjal i kujdesshëm diplomatik, në një kohë kur tensionet mes fuqive botërore janë në rritje