
Ilir Meta “sulmon” SPAK-un: Mashtron për kartat bankare, nuk ekziston asnjë lidhje me mua
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sërish ndaj zhvillimeve lidhur me dosjen e tij në Prokurorinë e Posaçme. Përmes një deklarate publikuar në rrjetet sociale, Meta ka hedhur poshtë akuzat për përfshirjen e tij në përdorimin e kartave bankare të dyshimta, duke e cilësuar këtë një “manipulim të turpshëm” nga SPAK.
“Kartat bankare për të cilat flet dhe mashtron hapur SPAK-u nuk kanë as edhe lidhjen më të vogël me Ilir Metën,” – shkruan ai, duke shtuar se:
“Nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston asnjë kartë bankare e ish-çiftit Meta-Kryemadhi.”
Ish-presidenti akuzon SPAK-un se po ngatërron ëndrrat me faktet dhe po përpiqet të manipulojë opinionin publik përmes fabrikimeve.
“SPAK-u tashmë i zhveshur përpara opinionit publik nga mungesa totale e fakteve dhe provave është zhytur në mashtrime, fantazira dhe manipulime mediatike,” – thekson Meta.
Ai e konsideron gjithë procedurën si një “aferë mafioze e telekomanduar nga Narkoqeveria”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një proces politik të motivuar.
Ndërkohë, SPAK ende nuk ka dhënë një reagim të ri zyrtar mbi këto deklarata, ndërsa çështja vijon të mbetet në fokus të opinionit publik dhe të medias