“Gjakun e lajmë me gjak”/ Sulmohet banesa e italianit që vrau 25-vjeçarin shqiptar gjatë një tentative grabitjeje

“Gjakun e lajmë me gjak!” – Sulmohet shtëpia e italianit që vrau të riun shqiptar gjatë grabitjes

Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur në Foria të Centola-s, Itali, ku një grup personash të dyshuar shqiptarë kanë sulmuar banesën e italianit Aurelio Valiante, i cili pak ditë më parë qëlloi për vdekje me armë zjarri 25-vjeçarin shqiptar Rivaldo Rusi, gjatë një tentative për grabitje të organizuar së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, grupi ka vepruar natën, me kujdes, duke u afruar në heshtje te banesa dhe duke thyer një ballkon, jo për të vjedhur, por për të parë nëse Valiante ndodhej ende aty. Ata janë larguar pa lënë gjurmë të tjera, përveç dëmtimeve të qarta në pjesën e jashtme të shtëpisë, të cilat konfirmojnë ndërhyrjen.

Ngjarja ndodhi natën pasi familja Valiante ishte zhvendosur nga autoritetet në një vend të mbrojtur, për shkak të kërcënimeve serioze që kishin filluar të qarkullonin në rrjetet sociale, kryesisht nga përdorues shqiptarë.

Prej ditësh në platforma si TikTok, janë shpërndarë mesazhe hakmarrjeje me thirrje si “Gjakun e lajmë me gjak”, duke krijuar një atmosferë të nxehtë urrejtjeje, që hetuesit italianë nuk e përjashtojnë si shtysë të mundshme për incidentin.

Policia italiane po vijon hetimet dhe nuk përjashton asnjë pistë, ndërsa rasti ka ndezur debate të forta në opinionin publik, mes të drejtës për vetëmbrojtje dhe pasojave të reagimit ekstrem.

Autoritetet kanë rritur masat e sigurisë për familjen Valiante dhe kanë shtuar patrullat në zonë, duke bërë thirrje për qetësi dhe respektim të ligjit