
Fier/ Arrestime dhe procedime penale për aksident, zjarrvënie dhe dhunë – Policia referon 3 raste në Prokurori
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka evidentuar dhe goditur disa raste të paligjshmërisë në qark, duke marrë masa ligjore ndaj personave përgjegjës.
Në fshatin Gramsh, specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasin V. V., 30 vjeç, banues në Lushnjë, i cili, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një motomjet të drejtuar nga shtetasi Xh. B.. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar lehtë drejtuesi i motomjetit dhe pasagjerja e tij, shtetasja V. B..
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë referuar në Prokurori materialet për shtetasin I. K., 67 vjeç, banues në fshatin Grecalli. Ky i fundit akuzohet për shkaktim të zjarrvënies, pasi duke djegur mbeturina në pronën e tij, ka shkaktuar dëmtime në një sipërfaqe toke dhe ka djegur rreth 30 rrënjë ulliri.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi M. B., 25 vjeç, i cili dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasit E. Ll. (28 vjeç) dhe Y. R. (18 vjeçe), si dhe u ka dëmtuar automjetin. Policia po punon për kapjen e tij.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.