
Tiranë/ Ish-truproja i Saimir Tahirit, Paul Deda, ekstradohet nga Franca – i dënuar për trafik droge dhe pastrim parash
Një ditë pas arrestimit të tij në Francë, është ekstraduar drejt Shqipërisë 50-vjeçari Paul Deda, ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Deda ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u kap nga autoritetet franceze falë bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me Interpol Tiranën dhe homologët në Paris, në kuadër të operacionit “The Wanted”.
Ai është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për trafikim të mbi 1 ton kanabis, që ishte destinuar për tregun italian. Lënda narkotike u kap në Bari nga autoritetet italiane, ndërsa gjatë operacionit u arrestuan edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë shqiptarë.
Përveç trafikut të drogës, mbi Paul Dedën rëndon edhe akuza për pastrim parash, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pas mbërritjes në Shqipëri, ai është shoqëruar në ambientet e paraburgimit ku do të vuajë dënimin e dhënë, ndërkohë që hetimet mbi rrjetin e përfshirë vijojnë.