
Një draftligj “Për mbrojtjen e konsumatorit” sjell një qasje tërësisht të ndryshuar sa i takon kësaj fushe duke synuar sipas relacionit përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian.
Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Qëllimi themelor i projektligjit është të sigurojë një nivel të lartë, të njëjtë dhe efektiv mbrojtjeje për konsumatorët shqiptarë, duke vendosur garanci të qarta për transparencën kontraktore, informimin para-kontraktor dhe të drejtën për heqje dorë, mekanizma më të fortë për mjetet juridike dhe zbatimin administrativ, dhe dispozita të reja për riparimin e produkteve, mbrojtjen në platformat digjitale dhe reklamimin e gjelbër” thuhet në relacion.
Ligji ka një total prej 240 nenesh që përfshijnë thuajse çdo aspekt por një prej tyre është ajo e lidhur me çmimet dhe transparencën që duhet të kenë tregtarët karshi konsumatorit. Kështu neni 12 ndalet gjerësisht në këtë pjesë nën emërtimin “treguesi I çmimit”.
Sipas nenit çdo produkt, që i ofrohet konsumatorit, duhet të ketë të shënuar çmimin e shitjes:
a) për produktet e paketuara duhet të jepen çmimi për sasinë e paketuar dhe çmimi për njësi;
b) për produktet që nuk janë të paketuara dhe maten në prani të konsumatorit jepet vetëm çmimi për njësi;
c) për produktet e shitura në sasi është i detyrueshëm përdorimi i instrumentit matës;
ç) në rastet kur çmimi i produktit për njësi është i njëjtë me çmimin e shitjes së tij, është e mjaftueshme vendosja e çmimit të shitjes së produktit.
“Për të gjitha shërbimet, që i ofrohen konsumatorëve, është i detyrueshëm shënimi i çmimit të shërbimit të ofruar. Nëse shërbimi përbëhet nga disa pjesë të ndryshme e të veçanta, jepen çmimi i secilës prej tyre dhe çmimi përfundimtar. Nëse në çastin e lidhjes së kontratës nuk është dhënë ende çmimi përfundimtar, ofruesi i shërbimit është i detyruar të tregojë metodën e përllogaritjes së tij.
Treguesit e çmimit të produktit të ofruar duhet të jetë të qartë, lehtësisht të dallueshëm dhe të lexueshëm.
Çmimi i shitjes së produktit të ofruar shprehet vetëm në lekë.
Pikat e këtij neni, me përjashtim të pikës 4, nuk zbatohen për produkte të përftuara nëpërmjet ankandit, si dhe për shitjen e sendeve antike dhe veprave të artit. Gjatë publicitetit, kur bëhet referim te çmimi i shitjes së një produkti, duhet të tregohet gjithashtu edhe çmimi për njësi matjeje, në përputhje me parashikimet e këtij neni” thuhet në këtë nen.
Një tjetër nen përcakton më mënyrat e faturimit duke u ndalur tek shërbime si furnizimi me energji, ujë apo pagesat e telefonisë.
“Shitja e energjisë dhe e furnizimit me ujë llogaritet në bazë të konsumit real dhe vlerësohet nëpërmjet aparateve matëse.
Vlera e konsumit real paraqitet në një faturë, së bashku me çmimin, në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe jo të dyshimtë.
Fatura për shërbimet e telekomunikacionit respekton parashikimet e ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Faturat e paraqitura konsumatorit duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një afat të caktuar.
Faturat duhet t’i dorëzohen konsumatorit në vendin e banimit, në mënyrë zyrtare (me postë ose dorazi) dhe jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë kalendarike përpara afatit të pagesës së tyre.
Të gjitha shërbimet ndaj konsumatorit për hartimin dhe dorëzimin e faturave janë pa pagesë” thuhet në nenin 18 të projektligjit.