
Ruben Saraiva, shtetasi portugez i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është shoqëruar këtë të hënë në Gjykatën e Lezhës nën masa të rrepta sigurie nga Policia e Shtetit.
Saraiva mbërriti në ambientet e gjykatës i rrethuar nga forca të shumta policore, për të marrë pjesë në një seancë ku pritej të dëshmonin persona të thirrur nga prokuroria. Megjithatë, burime nga gjykata bëjnë me dije se dëshmitarët nuk janë paraqitur.
Sipas autoriteteve shqiptare, Ruben Saraiva, me nënshtetësi portugeze dhe rezidencë në Britaninë e Madhe, dyshohet si ekzekutori i Nikulajt, i cili u qëllua për vdekje në një atentat mafioz në prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Pas një kërkimi ndërkombëtar, Saraiva u arrestua në Marok dhe më pas u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023, pas pranimit të kërkesës nga autoritetet marokene.
Procesi ndaj tij mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të ndjekura nga drejtësia shqiptare, dhe pritet të ndriçojë më tej përfshirjen e urdhërdhënësve dhe motivet pas atentatit