Shqiptari humb jetën në Itali, rrëzohet nga një lartësi prej 100 metrash pranë ujëvarave të Stulles në Bolzano

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e djeshme në veri të Italisë, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën gjatë një ngjitjeje malore. Viktima është Gëzim Iljazi, 59 vjeç, me origjinë nga Shqipëria, por prej vitesh banues në provincën e Rovigos.

Sipas mediave italiane, Iljazi ishte duke ngjitur i vetëm itinerarin pranë ujëvarave të Stulles, në provincën e Bolzanos, një zonë e njohur për terrenin e vështirë dhe panoramat malore. Tragjedia ndodhi rreth mesditës, pasi ai kishte përshkuar rreth dy të tretat e rrugës. Në rrethana ende të paqarta, ai është rrëzuar në një humnerë nga një lartësi prej rreth 100 metrash.

Dëshmitarët okularë kanë raportuar për mediat se fillimisht kanë parë të binte çanta e tij, e më pas kanë dalluar trupin duke rënë poshtë.

Shërbimet e shpëtimit malor dhe helikopteri i urgjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht 59-vjeçari ishte gjendur pa shenja jete.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa trupi i pajetë i Iljazit është transportuar në morgun e Bolzanos për ekzaminime të mëtejshme.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku Iljazi njihej si një qytetar i rregullt dhe i përkushtuar ndaj familjes dhe punës.