Shpërthim nga shkëndijë elektrike në qendër të Shëngjinit, këputet kablli, energjia ndërpritet në disa lagje

Një incident i rrezikshëm ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Shëngjinit, ku një shkëndijë elektrike ka shkaktuar një shpërthim në një nga linjat që furnizon zonën me energji elektrike.

Ngjarja ndodhi para pak minutash dhe, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pas shpërthimit është këputur një kabull tensioni i lartë, i cili ka përfunduar në rrugë. Fatmirësisht, nuk ka pasur dëme në njerëz apo automjete, ndonëse fluksi i qarkullimit në këtë orë ka qenë i lartë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së rendit dhe asaj bashkiake, të cilat kanë izoluar zonën për të shmangur rrezikun për kalimtarët dhe automjetet. Ekipet teknike kanë bërë largimin e kabllit të dëmtuar, ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në disa pjesë të qytetit, nga zona e shkollës deri tek lagjja e Portit, deri në riparimin e defektit.

Autoritetet po punojnë për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me energji dhe po hetojnë shkaqet teknike që çuan në defektin e linjës. Deri më tani dyshohet se një shkëndijë elektrike ka qenë shkaku fillestar i ngjarjes. Mbetet ende për t’u përcaktuar nëse ka pasur faktorë të tjerë kontribuues në defektin e linjës