
Prokuroria e Posaçme heton shkeljet në tenderin e rrugëve. Gjykata vendos masë sigurie ndaj Jonaid Myzyri i cili mban detyrën e Kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike, i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, të cilit i është komunikuar akuza.
Masa e vendosur përfshin“Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues,“Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
Objekti i këtij procedimi penal ka qenë procedura e prokurorimit, “Loti V: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 18.9.2020, me autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurorimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë.
Gjatë shqyrtimit të ankesës të procedurës së mësipërme, ky Komision, në kundërligjshmëri ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomik; A.M., dhe D.-1., ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.
Për këtë procedurë prokurimi janë marrë si të pandehur: Jonaid Myzyri, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj, Enlkeleda Bega, Vladinir Hodaj, Gerald Adhiaj, dhe A.H.. të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe shtetasit; Mehdi Lala, Ndoc Kulla dhe Ardian Kaza të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. a.b