Ish-prokurori Karanxha: Ina Rama të merret në pyetje për “21 Janarin”, s’u hetuan zyrtarët e lartë!

Ish-prokurori Ervin Karanxha ka reaguar ashpër lidhur me hetimet për ngjarjen tragjike të 21 Janarit, duke kërkuar që çështja të rihapet dhe të zgjerohet ndaj zyrtarëve të lartë të kohës.

Në një deklaratë publike, ai theksoi se ish-kryeprokurorja Ina Rama duhet të merret në pyetje, pasi ka dështuar në detyrën e saj për të hetuar personat në nivelet e larta të pushtetit.

🗣 “Vendimi i Gjykatës së Strasburgut e thotë qartë: duhet të ishin hetuar zyrtarët e lartë. Për këtë kompetencë e kishte Ina Rama. Ajo nuk veproi dhe nuk pati vullnet për të hetuar. Duhet të japë llogari pse nuk janë marrë nën hetim,” – u shpreh Karanxha.

Ai përmendi edhe rastin e tre deputetëve të asaj kohe, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare, për të cilët ishte kërkuar heqja e imunitetit, por sipas tij, hetimi nuk u çua përpara.

“Pas 15 vitesh, po merremi ende me këtë çështje. Duhej të ishte hetuar në fillim. Marrja e detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ka peshë të madhe. Ka një audio përgjim, duhet parë vlera juridike e saj”, – deklaroi ai.

Karanxha kërkoi ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë, për të hetuar mosveprimet në nivelet më të larta dhe për të zbardhur të vërtetën e një prej ngjarjeve më të rënda politike në historinë e pas ’90-s.