
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur zyrtarisht procesin e rinumërimit të votave për qarkun Fier, një nga qarqet më të diskutueshme pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.
Rinumërimi po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, ku janë planifikuar të hapen 587 kuti votimi me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultatit përfundimtar.
Ky proces ka ardhur pas kërkesës së koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, drejtuar nga Adriatik Lapaj, i cili pretendon se i mungojnë vetëm 517 vota për të fituar një mandat në këtë qark. Nëse rezultati ndryshon, kandidati i tij Azmer Duleviç do të fitojë mandatin, duke zëvendësuar deputetin aktual të PS-së, Ramion Kurti.
Por ndikimi i rinumërimit nuk ndalet vetëm te ky mandat. Rrezik për humbje mandati i është shtuar edhe deputetes socialiste Zegjine Çaushi, e cila ka vetëm 61 vota më shumë se Mirdita Bardho, kandidate tjetër nga lista e hapur e Partisë Socialiste.
Rinumërimi në Fier pritet të jetë një nga proceset më të ndjeshme politikisht, që mund të ndikojë drejtpërdrejt përbërjen e re të Kuvendit dhe balancat mes mazhorancës dhe opozitës. KQZ ka deklaruar se procesi do të vijojë me transparencë të plotë dhe nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve