
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas shtyrjes së seancës gjyqësore nga GJKKO për çështjen e njohur si “Dosja Partizani”, ku ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, janë të përfshirë si të pandehur. Në një postim në Facebook, Berisha e cilëson procesin si “tërësisht politik”, i orkestruar sipas tij nga kryeministri Edi Rama.
Sipas liderit të opozitës, SPAK dhe GJKKO janë vënë në shërbim të një skenari të ndërtuar nga Rama që prej prillit 2022, kur në Kongresin e PS, kreu i qeverisë “urdhëroi publikisht nisjen e hetimeve ndaj tij”. Ai thotë se pas këtij urdhri, janë ndërmarrë 16 kërkesa hetimore në vetëm një muaj, duke nisur një “hetim 30-vjeçar, i shtrirë në 3 breza, deri tek mbesat e palindura”.
Berisha deklaron se prona për të cilën bëhet fjalë nuk ka qenë tokë shtetërore, por private, që i përkiste pesë familjeve të Tiranës, përfshirë familjen e gjyshërve të dhëndrit të tij. Ai thekson se nuk ka pasur asnjë përfitim apo favorizim nga shteti, dhe e quan kallëzimin e bërë nga Taulant Balla në vitin 2020 “tërësisht të rremë”.
“Dosja ‘Partizani’ është një piramidë mashtrimi, nuk ka asnjë qindarkë dëm publik,” – shkruan Berisha, i cili thekson se pas hetimeve të thelluara rezulton të ketë vetëm një apartament dhe 100,000 euro kursime, pas 54 vitesh punë.
Ai përfundon duke akuzuar Ramën për kapje të drejtësisë dhe përdorimin e saj si armë politike kundër kundërshtarëve, ndërsa risjell në vëmendje arrestin politik dhe të kundërligjshëm, sipas tij, për 333 ditë që i është bërë si kryetar i Partisë Demokratike.