Atlantiku fsheh mbi 1000 fuçi me mbetje bërthamore, zbulimi trondit studiuesit: Hedhura dekada më parë, gjendja mbetet e panjohur

Një zbulim tronditës ka dalë në dritë nga kërkimet e fundit të realizuara në fundin e oqeanit Atlantik. Më shumë se 1000 fuçi me mbetje bërthamore janë lokalizuar në tabanin detar të Atlantikut Verilindor, duke ringjallur frikën për një rrezik të fshehur që bota e kishte harruar prej dekadash.

Zbulimi është bërë nga një ekip ndërkombëtar studiuesish, të nisur nga Bresti i Francës, që po kryen një mision katërjavor në bordin e anijes kërkimore “L’Atalante”. Kërkimet janë përqendruar në pellgun e Evropës Perëndimore të Atlantikut, në një thellësi prej 3.000 deri në 5.000 metra nën sipërfaqe.

Sipas organizatës kërkimore franceze CNRS, këto fuçi janë vetëm një pjesë e vogël e sasisë totale që mendohet të jetë depozituar ndër vite. Nga vitet 1950 deri në 1980, disa shtete industriale kanë hedhur qindra mijëra fuçi me mbetje radioaktive në oqeane, me arsyetimin se thellësitë detare ishin të sigurta dhe të qëndrueshme për asgjësim afatgjatë.

Megjithatë, vetëm në vitin 1993 u ndalua zyrtarisht ky praktikim në nivel ndërkombëtar. Studiuesit dyshojnë se në Atlantikun Verilindor mund të ndodhen mbi 200.000 fuçi të tilla, shumë prej të cilave me vendndodhje të panjohura dhe në gjendje të pasigurt.

Gjendja e tyre aktuale është ende mister, dhe studiuesit paralajmërojnë se çdo përkeqësim i materialit mbrojtës mund të çojë në rrjedhje radioaktive, me pasoja potencialisht të rënda për ekosistemin detar dhe zinxhirin ushqimor.

Kërkimet do të vazhdojnë në javët në vijim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar pritet të përballet me sfidën e madhe: si të përballet me një bombë ekologjike që qëndron e heshtur në fund të oqeanit prej më shumë se 70 vitesh.