Palma rrëzohet në mes të rrugës në Durrës, bllokon bulevardin “Epidamn” dhe rrezikon kalimtarët

Një palma është rrëzuar mesditën e së shtunës në bulevardin “Epidamn” në qytetin e Durrësit, duke rrezikuar seriozisht kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve që lëviznin në zonë.

Për fat të mirë nuk raportohet për të lënduar, por rruga u bllokua përkohësisht, ndërsa policia dhe autoritetet vendore ndërhynë për të menaxhuar trafikun dhe për të mundësuar largimin e palmës nga rruga.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, duke kujtuar se ngjarje të ngjashme janë shënuar edhe më herët në të njëjtin bulevard apo në rrugë të tjera të qytetit, si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes së pemëve dekorative.

Autoritetet pritet të kryejnë verifikime për gjendjen e palmave dhe pemëve të tjera në Durrës, për të shmangur rrezikun për jetën e qytetarëve në të ardhmen.