
Tension në Beograd mbrëmjen e së shtunës, ku policia serbe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit pranë Presidencës së Serbisë, pas një demonstrate të organizuar nga studentët.
Sipas raportimeve, protesta e studentëve, të cilët prej fundit të vitit 2024 kanë bllokuar universitetet në nivel shtetëror, kishte për qëllim kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Paralelisht, në kryeqytet ishte organizuar edhe një protestë tjetër në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Pas përfundimit të protestës studentore në sheshin Sllavija, një grup personash të maskuar u përleshën me forcat e rendit. Ata hodhën shishe dhe mjete të tjera ndaj policisë, duke shkaktuar përshkallëzim të situatës.
Policia reagoi duke vendosur kordon sigurie dhe duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e dhunshme. Në zonë u angazhuan forca të shumta policore, përfshirë njësitë speciale të xhandarmërisë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dënoi incidentin dhe paralajmëroi ndjekje penale për çdo person që ka sulmuar punonjësit e policisë. Ai deklaroi se masat do të jenë të rrepta për të rivendosur rendin publik.