U përndoq për kredinë e ish-burrit me letra false, qytetarja fiton gjyqin ndaj “Raiffeisen”, banka detyrohet të dëmshpërblejë

Tiranë – Një qytetare shqiptare, F.V. (emri i plotë i mbrojtur për arsye privatësie), ka fituar përfundimisht gjyqin ndaj “Raiffeisen Bank Albania”, pas një beteje të gjatë ligjore që zgjati më shumë se një dekadë.

Gjykata e ka shpallur të pafajshme lidhur me një kredi që ajo rezultonte se kishte marrë si bashkëkredimarrëse me ish-bashkëshortin e saj, në bazë të dokumenteve të falsifikuara.

Ngjarja daton më 11 shkurt 2009, kur është lidhur një kontratë kredie mes bankës, z. F.B. si kredimarrës dhe F.V. si bashkëkredimarrëse, në vlerën e 550,000 lekëve. Më pas, kur kredia nuk u shlye, bankës iu drejtua F.V. për detyrimet.

Ajo e kundërshtoi këtë kërkesë duke paditur bankën, me pretendimin se nuk kishte firmosur kurrë asnjë kontratë dhe nuk ishte në dijeni për kredinë.

Pas shqyrtimit të fakteve, gjykatat në të tre shkallët dhanë të drejtë qytetares, duke detyruar bankën t’i kthejë asaj shumën prej 100,000 lekësh si dëmshpërblim për dëmin moral dhe material të shkaktuar ndër vite.

Ky vendim po cilësohet si precedent i rëndësishëm në raportet bankë-konsumator, ndërsa rihapet diskutimi mbi abuzimet me “mikrokreditë” dhe përgjegjësitë ligjore të bankave në verifikimin e dokumentacionit të klientëve.